SHBA-ja i bën thirrje Evropës dhe Kanadasë të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen konvencionale

Advertisement

Shtetet e Bashkuara po u bëjnë presion aleatëve evropianë dhe Kanadasë që të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen konvencionale të Evropës, me qëllim që SHBA-ja të mund të përqendrojë më shumë kapacitete ushtarake në sfidat e mundshme në Paqësor.

Këtë e deklaroi ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, në një intervistë për televizionin amerikan “Fox Business”.

“E gjithë kjo do ta çlirojë SHBA-në për të projektuar fuqinë globalisht dhe për t’u marrë me situata të mundshme në Paqësor në të ardhmen”, tha Whitaker.

Sipas tij, Washingtoni dëshiron aleatë të fortë dhe të aftë, te të cilët mund të mbështetet. Whitaker argumentoi se pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, vendet evropiane reduktuan ndjeshëm kapacitetet e tyre ushtarake, ndërsa SHBA-ja vazhdoi të mbante një pjesë të madhe të barrës së sigurisë.

Ai theksoi se, megjithëse aleatët evropianë kanë filluar të rrisin shpenzimet dhe kapacitetet e mbrojtjes, ritmi i këtij procesi ende nuk është i mjaftueshëm.

Qasja është pjesë e riorganizimit më të gjerë të politikës së mbrojtjes amerikane nën administratën e presidentit Donald Trump, me fokus në zhvendosjen e burimeve ushtarake nga mbrojtja tokësore e Evropës drejt frenimit të Kinës dhe sfidave në rajonin e Indo-Paqësorit.

Sipas kësaj qasjeje, vendet evropiane pritet të sigurojnë forcat konvencionale kryesore për mbrojtjen e kontinentit, ndërsa SHBA-ja do të ruajë kapacitetet për parandalim bërthamor dhe përforcime ushtarake.

Kjo politikë pason thirrjet e bëra në shkurt të vitit 2025 nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, që aleatët evropianë të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit.

Në korrik, Pentagoni nisi gjithashtu një rishikim gjashtëmujor të vendosjes së trupave amerikane në Evropë, me qëllim rivlerësimin e pranisë ushtarake në kontinent.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit