UEFA ka konfirmuar ndryshime të rëndësishme në formatin e Ligës së Kombeve, të cilat do të aplikohen nga edicioni 2028/29. Gara do të zhvillohet me tri liga në vend të katër, ndërsa Liga D do të eliminohet.
Sipas formatit të ri, secila ligë do të ketë nga 18 përfaqësuese, të ndara në tri grupe me nga gjashtë ekipe. Për shkak të numrit të përgjithshëm prej 55 kombëtareve, Liga C do të ketë një grup me shtatë skuadra.
Në fazën e grupeve, ekipet do të zhvillojnë nga gjashtë ndeshje ndaj pesë kundërshtarëve të ndryshëm. Me përfaqësueset nga vazot e tjera do të përballen një herë, në shtëpi ose jashtë, ndërsa ndaj një kundërshtari nga e njëjta vazo do të luajnë dy herë.
Çerekfinalet, turneu Final Four, si dhe ndeshjet e ‘play-off’-it për ngjitje dhe rënie do të mbeten pjesë e garës edhe në formatin e ri.
UEFA synon që ndryshimet ta bëjnë Ligën e Kombeve më konkurruese dhe të reduktojnë numrin e ndeshjeve me më pak rëndësi sportive.
Formati i ri do të hyjë në fuqi pas përfundimit të EURO 2028, ndërsa detajet përfundimtare pritet të përcaktohen më vonë.






