Përparimi në terren është i dukshëm, ndërsa kthesa e gjelbër tashmë po jep rezultate konkrete në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në kryeqytet, theksoi ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, gjatë vizitës së sotme në objektin e ri kogjenerues të kompanisë “Tesa Energy”.
Projekti, i cili paraqet një investim privat në vlerë prej 2,5 milionë eurosh, po hyn në një fazë të re të realizimit, duke mundësuar furnizim më modern, më efikas dhe dukshëm më ekologjik me energji termike dhe elektrike.
“Ky investim i sektorit privat në teknologji moderne dhe të pastra mbështet drejtpërdrejt përpjekjet e organizuara kundër ndotjes së ajrit. Kalimi drejt sistemeve energjetike më efikase mundëson uljen drastike të humbjeve të energjisë dhe emetimeve të dëmshme të gazrave, që përbën një hap kyç drejt përmbushjes së standardeve më të larta mjedisore”, thonë nga Ministria e Mjedisit Jtetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Aktualisht, mbi 500 familje nga komunat Çair dhe Butel tashmë po kyçen në sistemin e ri të ngrohjes qendrore. Përveç amvisërive, në rrjet do të përfshihen edhe institucione të rëndësishme publike dhe shëndetësore të kësaj zone, ndër të cilat edhe ISHP Spitali i Specializuar për Gjinekologji dhe Obstetrikë “Nënë Tereza” në Çair dhe shkolla fillore “Hasan Prishtina”.
Për qytetarët dhe institucionet, veçanërisht i rëndësishëm është edhe efekti i drejtpërdrejtë ekonomik – energjia termike që furnizohet nga ky objekt është 20 për qind më e lirë në krahasim me sistemet alternative të ngrohjes qendrore, thonë nga Ministria.
Ministri Hoxha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, amvisërive dhe subjekteve afariste të tjera nga kjo pjesë e qytetit që ta shfrytëzojnë mundësinë për t’u kyçur në rrjetin e ri, duke kontribuar drejtpërdrejt si në buxhetin e tyre familjar, ashtu edhe në luftën e përbashkët për ajër më të pastër.








