Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar të martën 29 zëvendësministra në kuadër të ministrive të Qeverisë së Kosovës.
Në mesin e të emëruarve janë edhe zëvendësministra të parë, ndërsa disa ministri do të kenë nga dy zëvendësministra.
Ndër emërimet kryesore janë Përparim Kryeziu si zëvendësministër i parë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, Kreshnik Ahmeti në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Agon Batusha në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Getoar Mjeku në Ministrinë e Ekonomisë.
Në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit janë emëruar Fatban Bunjaku si zëvendësministër i parë dhe Jeton Mehmeti si zëvendësministër.
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme, zëvendësministër i parë është emëruar Enver Dugolli, ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit këtë pozitë do ta mbajë Zef Morina.
Ndërkohë, Daulina Osmani është emëruar zëvendësministre e parë në Ministrinë e Sportit dhe Rinisë, ndërsa Nora Arapi-Krasniqi në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit.
Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor janë emëruar Avni Zogiani dhe Driton Hyseni, ndërsa në Ministrinë e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare Agon Dobruna dhe Besart Jashari.
Lista përfshin gjithashtu emërime në ministritë e Financave, Shëndetësisë, Drejtësisë, Mbrojtjes, Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Në mesin e zëvendësministrave të rinj janë edhe Hysni Mehani, Triera Kasumi-Berisha, Ali Dula, Arsim Berisha, Genc Nimoni, Gegë Lleshi, Enis Kervan, Lulzim Hetemi, Ratomir Minic, Igor Mitic, Muhedin Nushi dhe Sejnur Veshall.






