Kryetari i Qytetit të Shkupit dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Orce Gjorgjievski, ka deklaruar se në periudhën e fundit fokusi është vendosur në konsolidimin financiar të qytetit dhe stabilizimin e ndërmarrjeve publike.
Duke folur në emisionin “Noќno Studio” në 4TV, Gjorgjievski tha se kur mori drejtimin e qytetit, gjendja financiare ishte jashtëzakonisht e rëndë, duke përmendur borxhe prej afro 300 milionë eurosh dhe probleme me pagat e punonjësve të ndërmarrjeve publike.
“Na priste një detyrë e vështirë. Trashëgova afër 300 milionë euro borxhe, ndërsa punonjësit e ndërmarrjeve publike për dy apo tre muaj nuk kishin marrë paga. Kishim edhe problem me transportuesit privatë”, tha Gjorgjievski.
Ai theksoi se borxhi është ulur ndjeshëm dhe se, sipas tij, Qyteti i Shkupit tashmë nuk i detyrohet askujt.
Gjorgjievski foli edhe për projektet infrastrukturore që, siç tha, kanë qenë të bllokuara për vite me radhë, përfshirë bulevarde dhe ura, duke paralajmëruar përfundimin dhe vënien e tyre në funksion.
Në fokus, sipas tij, janë edhe projektet për përmirësimin e mjedisit dhe krijimin e hapësirave të reja të gjelbra. Ai përmendi deponinë Vardarishte, ku ka përfunduar procesi i shuarjes së zjarreve dhe ku pritet të nisë dekontaminimi i plotë i hapësirës.
“Rreth 200 mijë metra katrorë parqe kemi nisur t’i realizojmë. Në Butel tashmë shihet fundi i punimeve, ndërsa edhe në Karposh projekti ka avancuar seriozisht”, tha Gjorgjievski.
Sipas tij, në periudhën e kaluar janë zgjidhur dhe zhbllokuar një numër i madh projektesh të trashëguara, ndërsa ndërmarrjet publike janë stabilizuar financiarisht.






