Shtetet e Bashkuara i kanë propozuar Ukrainës të heqë dorë nga pjesë të territorit në këmbim të anëtarësimit në NATO. Këtë e konfirmon vetë presidenti Volodymyr Zelensky. Sipas tij, nëse partnerët ndërkombëtarë do t’i kërkonin Kievit të tërhiqej nga Donbasi në këmbim të garancive konkrete të sigurisë, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Europian, ai do ta çonte çështjen përpara opinionit publik për diskutim.
Deklaratat e presidentit ukrainas janë bërë në Kiev gjatë një bisede me gazetarët dhe janë raportuar nga mediat ndërkombëtare. Mes tjerash, Zelenski theksoi se i ka paralajmëruar amerikanët se Putinit nuk i zihet besë dhe se Rusia po vë bast gjithçka për këtë dimër.
Mbrëmë, të dërguarit amerikanë zhvilluan bisedime me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Irlandë, pasi më herët ishin takuar me Presidentin rus Vladimir Putin në Kremlin, në një përpjekje të Uashingtonit për t’i dhënë një vrull të ri nismave të tij për paqe.
“Është e rëndësishme që herën tjetër, në takimin e ardhshëm, Evropa të jetë e pranishme gjatë negociatave – të jetë pjesë e ekipit negociator, jo thjesht e pranishme në një mënyrë të paqartë apo e veçuar; ata do të kenë zërin e tyre. Kjo është e rëndësishme për ne, sepse lufta po zhvillohet në Evropë. Në të ardhmen ne do të jemi anëtarë të BE-së; prandaj është thelbësore që Evropa të jetë e përfshirë, si për çështjet e prosperitetit, ashtu edhe për garancitë e sigurisë. Dhe mendoj se kjo është tejet e rëndësishme” deklaroi Volodomyr Zelenski, President i Ukrainës
“Gjatë muajve të fundit kemi punuar gjithashtu shumë, shumë ngushtë me evropianët. Dhe mendoj se kjo ka qenë shumë e rëndësishme. Nuk mund ta finalizojmë këtë marrëveshje pa pasur evropianët në tryezë. I kemi thënë Presidentit Putin se besojmë se kjo është shumë e rëndësishme; Presidenti Zelenskyy ka qenë një mbështetës shumë i fortë dhe e ka thënë këtë që nga fillimi fare. Besoj se mund ta arrijmë këtë me Presidentin Putin, dhe ai është i gatshëm ta provojë.” deklaroi Jared Kushner, Negociator
Nju Jork Tajms, raporton detaje të turit diplomatik të emisarëve të presidentit Donald Trump në Abu Dabi, Kremlin dhe Dublin. Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta amerikane, negociatorët e Rusisë propozuan tërheqjen e NATO-s në pozicionet e para vitit 1997, të modeluara sipas Paktit të Varshavës. Më herët, media gjermane Bild, raportoi se Putini kërkoi largimin e Finlandës nga NATO, rajoni i baltikut pa baza ushtarake të aleancës perëndimore dhe një Ukrainë neutral. Ndërkohë luftimet vazhdojnë.
Ukraina njofton se Rusia ka lëshuar gjatë natës 96 dronë sulmues, 61 prej tyre me motor reaktiv. Forcat e mbrojtjes ajrore thonë se kanë rrëzuar ose neutralizuar 81 prej tyre, përfshirë 52 dronë Shahed. Por akte lufte ka pasur edhe në anën tjetër të kufirit. Dronë të shumtë janë lëshuar në disa rajone, ndërsa është goditur një qendër përpunimi mbetjesh në Samara të Rusisë. / Alsat.mk








