Mendi Qyra në promovimin e librit „Revolta e Syzifit“: 53 plagë që nuk shuhen, 53 arsye për të mos harruar!

Advertisement

Kryetari i Komunës së Strugës, Mendi Qyra, ka marrë pjesë në promovimin e librit „Revolta e Syzifit“, të autorit Bardhyl Mahmudi, kushtuar historisë së Fadil Muqollit dhe tragjedisë së familjes së tij, e cila humbi 53 anëtarë nga mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Përmes një postimi pas aktivitetit, Qyra ka ndarë emocionet e përjetuara nga dokumentari për familjen Muqolli, ku u prezantuan dëshmi për vrasjen e 53 anëtarëve të familjes, mes tyre mbi 20 fëmijë, të moshës nga gjashtë muaj deri në 13 vjeç.

Ai ka veçuar edhe shtëpinë muze, ku, sipas tij, edhe pas 25 vjetësh vazhdojnë të ruhen gjurmët e krimit.

„Është e pamundur të dëgjosh dëshmi të tilla dhe të mbetesh indiferent“, ka shkruar Qyra, duke theksuar se pjesëmarrja në promovimin e librit ishte më shumë se një aktivitet kulturor, pasi përbënte edhe një moment reflektimi dhe kujtese për viktimat.

Qyra ka nënvizuar rëndësinë e përcjelljes së historisë te brezat e rinj dhe përgjegjësinë për të mos lejuar që vuajtjet e viktimave të mbulohen nga harresa.

Në fund, ai ka falënderuar Qendrën „Gjenocidi në Kosovë“ për organizimin e aktivitetit.

„Disa plagë nuk mbyllen kurrë. Por ne kemi përgjegjësinë të mos lejojmë që ato të mbulohen nga harresa“, ka përfunduar Qyra.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit