Diabeti prek 135 mijë qytetarë, mijëra të tjerë ende pa diagnozë

Advertisement

Mijëra qytetarë në Maqedoninë e Veriut mund të jetojnë me diabet pa qenë të vetëdijshëm se vuajnë nga kjo sëmundje. Sipas vlerësimeve, rreth 40 mijë persona mund të kenë diabet, por ende nuk janë diagnostikuar, ndërsa numri i përgjithshëm i personave që jetojnë me këtë sëmundje në vend arrin në rreth 135 mijë. Këto të dhëna u bënë publike me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Diabetit, ku shoqatat e pacientëve kërkuan trajtim më bashkëkohor, pajisje mjekësore dhe qasje më të shpejtë te specialistët.

Nga rreth 135 mijë personat që jetojnë me diabet në Maqedoni, afërsisht 4 mijë janë të prekur nga diabeti i tipit 1. Përfaqësuesit e shoqatave kërkuan që terapia bashkëkohore të jetë e disponueshme edhe përmes Fondit të Sigurimit Shëndetësor, ndërsa sensorët për monitorimin e glukozës dhe pompat e insulinës të sigurohen për të gjithë pacientët me diabet të tipit 1. Një tjetër kërkesë është shkurtimi i kohës së pritjes për kontrolle te mjekët specialistë, me qëllim zbulimin dhe parandalimin në kohë të komplikimeve që mund të shkaktojë diabeti.

Ushqimi jo i shëndetshëm dhe mungesa e aktivitetit fizik u theksuan si ndër faktorët kryesorë të rrezikut për zhvillimin e sëmundjes.

Sipas mesazheve të përcjella gjatë shënimit të Ditës Botërore të Diabetit, parandalimi kërkon një qasje më të gjerë, përfshirë kufizimin e shitjes së ushqimeve të shpejta në shkolla dhe sigurimin e ushqimit të freskët e të shëndetshëm për nxënësit. Autoritetet shëndetësore u bëjnë thirrje qytetarëve që të mos i shpërfillin simptomat si lodhja e vazhdueshme, etja e shtuar dhe shikimi i turbullt, por të kryejnë kontrolle parandaluese. Diabeti mbetet një sfidë serioze edhe në nivel botëror. Sipas të dhënave të paraqitura, rreth 589 milionë njerëz në botë jetojnë me diabet, ndërsa 252 milionë prej tyre nuk janë të vetëdijshëm se e kanë këtë sëmundje.

Shoqatat e pacientëve theksojnë se diagnostikimi i hershëm, qasja në terapi moderne dhe kontrollet e rregullta janë thelbësore për parandalimin e komplikimeve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me diabet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit