Më 25 nëntor në Shkup do të mbahet Forumi i parë i diplomacisë energjetike “Burimet e rinovueshme dhe gratë në energji” i cili do të mbledhë përfaqësues të qeverive, organizatave ndërkombëtare, institucioneve financiare, trupit diplomatik, kompanive energjetike dhe investitorëve.
“Si të sigurohen më shumë investime në burimet e rinovueshme? Si të forcohet bashkëpunimi rajonal në energji? Si të krijohen më shumë mundësi që gratë të marrin pjesë në marrjen e vendimeve kyçe? Këto janë disa nga çështjet që do të jenë në fokus të forumit me qëllim inkurajimin e partneriteteve të reja, shkëmbimin e përvojave dhe hapjen e mundësive specifike për zhvillimin e projekteve të energjisë së qëndrueshme. Theks i veçantë do të vihet në financimin e tranzicionit të gjelbër, tërheqjen e investimeve, partneritetet publik- privat dhe lidhshmërinë rajonale”, informon Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale.
Në kuadër të forumit është paraparë edhe themelimi zyrtar i Rrjetit të diplomacisë së grave në energji e cila sipas ministrisë, do të krijojë hapësirë të re për bashkëpunim rajonal, rrjetëzim profesional dhe forcimin e lidershipit të grave në sektorin e energjisë.
Eventi organizohet nga Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale në partneritet me Zyrën e Kombeve të Bashkuara, UNDP-në dhe Komisionin ekonomik të Kombeve të Bashkuara për Evropën (UNECE).








