Një sasi e madhe mbeturinash është larguar nga hapësirat publike të Shkupit gjatë vetëm një jave. Ekipet e NP “Higjiena Komunale–Shkup” kanë mbledhur 650 metra kub mbeturina voluminoze dhe ndërtimore të hedhura në mënyrë të parregullt nëpër qytet.
Çairi është komuna ku është larguar sasia më e madhe, me gjithsej 170 metra kub mbeturina nga deponitë ilegale.
Përveç mbeturinave të hedhura në mënyrë të parregullt, gjatë javës janë grumbulluar dhe transportuar edhe 2.700 tonë mbeturina komunale nga amvisëritë dhe subjektet juridike në territorin e Shkupit.
Nga NP “Higjiena Komunale–Shkup” thonë se aktivitetet për pastrimin dhe mirëmbajtjen e qytetit zhvillohen çdo ditë. Bulevardet dhe rrugët lahen mekanikisht me autocisterna gjatë orëve të mbrëmjes, ndërsa në tri ndërrime pastrohen edhe sheshet, urat këmbësore, trotuaret dhe hapësirat e Çarshisë së Vjetër.






