Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, sot në seancën e Këshillit kombëtar për eurointegrime tha se Agjenda e reformave për periudhën 2024 – 2027, e cila rrjedh nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nuk është më një dokument në letër, por një detyrim i përditshëm i institucioneve dhe një kornizë teknike për reforma specifike në disa sektorë.
Murtezani theksoi se ne nuk jemi më një vend që vetëm planifikon integrimin evropian, por e zbaton atë.
“Sot po flasim nga një pozicion rezultatesh konkrete. Ne flasim nga një pozicion përvoje, vendosmërie dhe pune të strukturuar që transformon realitetin. Maqedonia e Veriut nuk është më një vend që thjesht po planifikon integrimin evropian, ne tashmë po e zbatojmë atë. Agjenda jonë e reformave për periudhën 2024 – 2027, e cila buron nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, nuk është më një dokument në letër, por një detyrim i përditshëm i institucioneve, një udhërrëfyes i vizionit politik dhe një kornizë teknike e reformave konkrete që ndryshojnë mënyrën se si funksionojnë sektori publik, komuniteti i biznesit, gjyqësori, arsimi dhe energjetika. Maqedonia e Veriut tashmë ka marrë njohje nga Bashkimi Evropian si vendi i parë në rajon që ka marrë parafinancim në përputhje me Planin e rritjes. Ky nuk është një gjest simbolik, por një njohje e drejtpërdrejtë se kjo Qeveri di të krijojë, prezantojë dhe zbatojë reforma që janë koherente, të besueshme dhe të matshme”, theksoi Murtezani në seancën e Këshillit kombëtar për eurointegrime me temën “Statusi i realizimit të Agjendës reformuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut (2024-2027), hapat dhe sfidat e ardhshme”.