Sa të sigurta janë këndet e lojërave në ambiente të mbyllura?

Advertisement

Me ardhjen e temperaturave të ulëta, shumë prindër zgjedhin këndet e lojërave në ambiente të mbyllura, ku fëmijët mund të luajnë dhe të kalojnë kohën e lirë. Por, sa të sigurta dhe higjienike janë këto ambiente?

Mjekët rekomandojnë që prindërit të kenë kujdes të shtuar ndaj higjienës dhe kushteve në të cilat qëndrojnë fëmijët, veçanërisht në hapësirat e mbyllura ku grumbullohen shumë persona.

Sipas doktoreshës Albina, fëmijët e shëndetshëm mund t’i vizitojnë këto ambiente, por është e rëndësishme të respektohen kushtet e higjienës. Pas lojës, rekomandohet pastrimi dhe dezinfektimi i lodrave, ndërsa fëmijët duhet t’i lajnë duart me ujë të rrjedhshëm.

 

Nëse kjo nuk është e mundur, mund të përdoret dezinfektuesi për duar.
Gjithashtu, pas kthimit në shtëpi, rekomandohet ndërrimi i rrobave dhe, nëse është e mundur, edhe dushi para gjumit.
Mjekët nuk i rekomandojnë shumë këndet e lojërave në ambiente të mbyllura kur në to ka një numër të madh fëmijësh.

Megjithatë, kur numri i tyre është i kufizuar dhe respektohen kushtet e nevojshme të higjienës, këto ambiente mund të vizitohen. Edhe gjatë temperaturave të ulëta, qëndrimi në ambiente të hapura mbetet një alternativë e preferuar.
Ndërkohë, mbetet e paqartë se kush është përgjegjës për kontrollin e higjienës dhe mirëmbajtjes së këndeve të lojërave në ambiente të mbyllura.

Ora24.tv iu drejtua disa inspektorateve për të marrë përgjigje lidhur me kontrollet që kryhen në këto hapësira, por institucionet e kontaktuara u deklaruan jokompetente për këtë çështje.

Për këtë arsye, Ora24.tv do të kërkojë në ditët në vijim përgjigje edhe nga ministritë përkatëse, me qëllim që të sqarohet se cili institucion është përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollin e këtyre ambienteve ku fëmijët kalojnë një pjesë të kohës së tyre.

Deri atëherë, prindërve u mbetet të tregojnë kujdes të shtuar, ndërsa pyetja se kush garanton sigurinë dhe higjienën në këto hapësira vazhdon të mbetet pa përgjigje./Ora24.tv

 

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit