Mickoski: Nuk pranoj fraza politike, lufta kundër korrupsionit do të vazhdojë

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski, në emisionin “Samo intervju” në televizionin Kanal 5, deklaroi se akuzat për korrupsion duhet të mbështeten me prova konkrete dhe jo të përdoren si fraza politike. Ai theksoi se Qeveria është e përkushtuar për një luftë konkrete dhe pa kompromis kundër korrupsionit.

“Ku ka korrupsion? Le të na tregojnë. A keni ju prova se ka korrupsion, apo ai që pretendon se ka? Le të shohim raportin e Komisionit Evropian, i cili duhet të publikohet për përparimin e vendit”, deklaroi Mickoski.

Ai tha se personat që kanë kërkuar ryshfet janë arrestuar dhe se aksionet kundër korrupsionit do të vazhdojnë. Sipas tij, një aksion i fundit ka parandaluar kontrabandën e cigareve, e cila, siç pretendon ai, ka zgjatur për dekada.

Mickoski paralajmëroi se hetimi sapo ka filluar dhe se në periudhën e ardhshme priten prova të tjera që, sipas tij, lidhen me zyrtarë të lartë të qeverive të kaluara, të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në kontrabandën e cigareve.

Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë rastet e korrupsionit, duke paralajmëruar edhe bashkëpunim me një organizatë ndërkombëtare. Ai premtoi se personave që raportojnë korrupsionin do t’u garantohet diskrecion, ndërsa ata për të cilët vërtetohet se janë të korruptuar do të mbajnë përgjegjësi.

“Unë publikisht i ftoj qytetarët që, aty ku ka korrupsion, ta denoncojnë dhe ne të veprojmë. Nuk pranoj vetëm fraza politike se ka korrupsion. Le ta denoncojmë”, tha Mickoski.

Ai shtoi se dëshiron të jetë personi që do ta çrrënjosë korrupsionin në vend, duke kërkuar që akuzat të shoqërohen me prova konkrete.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit