Gazetarja Nora Kaliqi ka ngritur shqetësimin për presionin, frikësimin dhe pengesat me të cilat përballen gratë në jetën publike, duke theksuar se këto forma të dhunës shpesh i shtyjnë ato të heshtin ose të heqin dorë nga pozitat dhe synimet e tyre profesionale.
Në reagimin e saj, Kaliqi thekson se grave shpesh u kërkohet të mbajnë përgjegjësi, ndërsa njëkohësisht u pengohet puna, vihet në dyshim dija e tyre dhe kritikohet mënyra se si shprehen, në vend që të trajtohen argumentet që paraqesin.
Sipas saj, kjo qasje kontribuon në largimin gradual të grave nga jeta publike dhe proceset vendimmarrëse, duke i detyruar disa prej tyre të paguajnë një çmim të lartë emocional dhe personal për të vazhduar angazhimin e tyre.
Kaliqi vlerëson se dhuna ndaj grave nuk shfaqet vetëm përmes formave të drejtpërdrejta, por edhe përmes poshtërimit të vazhdueshëm, frikësimit pa pasoja dhe heshtjes së atyre që i dëshmojnë këto sjellje.
Ajo thekson se grave nuk duhet t’u kërkohet vazhdimisht të jenë më të forta, por duhet të krijohen kushte që ato të punojnë të sigurta, të shprehen lirshëm dhe të kenë ndikim në jetën publike.
„Kam zë. Kam dije. Kam të drejtë të jem këtu”, thekson Kaliqi, duke shtuar se pjesëmarrja e grave në jetën publike nuk është privilegj që u jepet, por një e drejtë që duhet respektuar.








