Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, kanë vizituar sot Vizbegun, ku janë takuar me përfaqësues të bizneseve që veprojnë në këtë zonë.
Në fokus të takimit ishte rruga magjistrale transitore “Hasan Prishtina”, një nga projektet e rëndësishme infrastrukturore për këtë pjesë të Shkupit.
Sipas Mexhitit, rruga e re do të jetë rreth 3.5 kilometra e gjatë dhe do të ketë katër korsi. Ajo pritet të përmirësojë infrastrukturën në Vizbeg, të lehtësojë qarkullimin dhe të krijojë kushte më të mira për funksionimin dhe zhvillimin e bizneseve.
Mexhiti theksoi se projekti do të ndikojë edhe në përmirësimin e lidhjes së Shkupit me Bllacën dhe Kosovën, duke mundësuar qarkullim më të shpejtë dhe më efikas.
“Rruga e re do t’i sjellë Vizbegut infrastrukturë moderne, do të lehtësojë qarkullimin dhe do të krijojë kushte shumë më të mira për funksionimin dhe zhvillimin e bizneseve në këtë zonë”, ka shkruar Mexhiti.






