Izet Mexhiti: Një vit punë dhe investime në Saraj, mbi 13 milionë euro për projekte infrastrukturore

Advertisement

Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka marrë pjesë në prezantimin e llogaridhënies njëvjeçare të kryetarit të Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, ku janë prezantuar projektet dhe investimet e realizuara dhe ato që pritet të nisin në këtë komunë.

Përmes një statusi në rrjetet sociale, Mexhiti ka theksuar se pas një viti nga marrja e zotimeve, rezultatet po prezantohen përmes projekteve konkrete infrastrukturore dhe investimeve në shërbimet publike.

Ndër projektet kryesore të përmendura janë rregullimi i shtratit të Lumit të Thatë, me një investim prej 6.2 milionë eurosh, si dhe financimi prej rreth 7 milionë eurosh për ndërtimin e urës së re, rrethrrotullimin dhe lidhjen rrugore në Saraj.

Në listën e projekteve bëjnë pjesë edhe rruga rajonale Kondovë–Radush–Jegunovcë, rruga Saraj–Krushopek dhe ajo Rashçe–Kopanicë. Po ashtu, janë përmendur investimet në ujësjellës dhe kanalizim në Llaskarcë, ndërtimi i murit mbrojtës në Gllumovë, si dhe investimet në shkolla, terrene sportive dhe mjedis.

Mexhiti ka bërë të ditur se në fazën e përgatitjes janë edhe projekte të reja, ndër të cilat bulevardi “Dardania” dhe shkolla e re në Matkë.

Ai ka vlerësuar se llogaridhënia ndaj qytetarëve nuk duhet të jetë vetëm formalitet, por përgjegjësi që buron nga besimi i dhënë përmes votës.

Në fund, Mexhiti ka shprehur mbështetjen për kryetarin Muhamet Elmazi dhe ekipin e tij, duke theksuar se puna për realizimin e projekteve të nisura dhe investimeve të ardhshme do të vazhdojë.

Screenshot

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit