Zgjidhjen për dhënien e provimit të jurisprudencës, kryeministri Mickoski ua ka prezantuar studentëve gjatë takimit të tyre para dy ditësh dhe ajo është e njëjta që ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ua kishte shpjeguar para rreth dhjetë ditësh. Mickoski tha se ky propozim i Qeverisë duhet t’i dorëzohet Komisionit të Venecias dhe se bëhet fjalë për një model të kombinuar të dhënies së provimit, si në gjuhën shqipe, ashtu edhe në gjuhën maqedonase. Theksoi se kjo është zgjidhja e parë e këtij lloji dhe se deri më tani për këtë çështje nuk ka pasur asnjë iniciativë konkrete.
Mickoski foli edhe për atë se çfarë kishin diskutuar me studentët lidhur me ndryshimet në modelin e vaktit të subvencionuar studentor. Qeveria ka propozuar rritjen e shumës nga 3.500 denarët aktualë në 4.500 denarë në muaj, ndërsa studentët do të mund t’i shfrytëzonin përmes një shërbimi të veçantë në aplikacionin “M-Shërbime”, përmes një modeli të ri me vauçerë elektronikë që do të mund të përdoren në markete dhe restorante. Mickoski pret të marrë përgjigje nga studentët për këtë propozim.
Studentët së fundmi kanë reaguar se shuma e vaktit të subvencionuar nuk është rritur prej tre vitesh. Njëra nga studentet shpjegoi se gjithçka rreth propozimit të Qeverisë do të bëhet e ditur javën e ardhshme, kur pritet të organizohet edhe referendumi studentor.
Përveç rritjes së subvencionit, Qeveria planifikon të negociojë me tregtarët për zbritje shtesë për studentët gjatë blerjes së ushqimit, madje edhe pasi ta kenë shpenzuar shumën mujore. Përmes sistemit digjital, sipas paralajmërimeve, do të kontrollohej që mjetet të shfrytëzohen ekskluzivisht për qëllimin e paraparë.








