Valbon Limani, në një intervistë në emisionin “Podium” në Ora24.tv, ka folur për mënyrën se si është menaxhuar situata e krijuar lidhur me ujin në Gostivar, duke vlerësuar angazhimin e institucioneve qendrore dhe lokale gjatë kësaj periudhe.
Limani tha se, në një situatë ku rrezikohet shëndeti publik, duhet të shfrytëzohet çdo kapacitet institucional në dispozicion.
“Kur rrezikohet shëndeti publik, atëherë gjithsesi duhet të shfrytëzohet çdo kapacitet institucional që ekziston në shtetin tonë. Në këtë rast, qeveria, ministritë, institucionet shëndetësore, por edhe kryetarët e komunave kanë pasur rolin e tyre në Gostivar”, deklaroi Limani.
Ai theksoi se ndërhyrjen e institucioneve nuk e sheh si dështim të fshehur, por si domosdoshmëri për koordinim mes institucioneve përkatëse.
Limani shprehu mirënjohje për të gjithë ata që, sipas tij, kanë ofruar ndihmë gjatë periudhës së vështirë, duke përfshirë kryetarë komunash, kolegë, Qeverinë, ministritë, por edhe përfaqësues politikë të opozitës.
“Dua t’i falënderoj të gjitha institucionet që në atë periudhë ishin pranë nesh, ishin pranë gostivarasve dhe e bënë më të mirën për qytetin tonë, me të vetmin qëllim që kjo situatë të kalohej sa më shpejt dhe sa më lehtë”, tha Limani.
Duke folur për hetimin lidhur me rastin, Limani u pyet edhe për epilogun që pret pas paraburgimit të dy punonjësve të Ndërmarrjes së Ujësjellësit dhe drejtoreshës së saj.
Ai tha se organet kompetente duhet ta bëjnë punën e tyre, ndërsa gjatë hetimeve duhet të shqyrtohen të gjitha provat që ekzistojnë.
“Organet kompetente do ta bëjnë punën e tyre, por gjithsesi mendoj se gjatë hetimeve duhet të merren parasysh të gjitha provat që ekzistojnë, qoftë rezultatet e analizave të ujit apo indikatorët e caktuar të cilët do të tregonin se çka në të vërtetë ndodhi në Gostivar”, u shpreh ai.
Limani shtoi se pret që institucionet kompetente ta zhvillojnë hetimin me transparencë dhe drejtësi të plotë.
I pyetur se çfarë epilogu pret për personat që aktualisht ndodhen në paraburgim, Limani tha se nuk është jurist, por shpreson që përfundimi i rastit të jetë sa më i mirë për bashkëpunëtorët e tij.
“Nuk jam jurist, por shpresoj që epilogu të jetë sa më i miri i mundshëm për bashkëpunëtorët e tanë”, përfundoi Limani.






