Manuel Korreshi, 15-vjeçar dhe futbollist i ekipit Under 16 të AC Este 1920 në Itali, ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor.
Sipas “La Repubblica”, i riu po kthehej në shtëpi me biçikletë gjatë natës mes 19 dhe 20 shtatorit, kur u përplas nga një automjet në rrugën provinciale 247.
Manueli u dërgua në spitalin San Bortolo në Vicenza në gjendje të rëndë. Pavarësisht trajtimit mjekësor, ai ndërroi jetë më 20 shtator.
Prokuroria ka nisur hetimet për të përcaktuar përgjegjësitë lidhur me aksidentin. Autoritetet po verifikojnë edhe rrethanat e përplasjes, përfshirë nëse biçikleta kishte dritën e pasme të ndezur.
Manueli ishte pjesë e ekipit të të rinjve të AC Este 1920 dhe konsiderohej një talent i ri i futbollit. Pas lajmit për vdekjen e tij, miqtë, shokët e shkollës dhe bashkëlojtarët e kanë kujtuar me mesazhe lamtumire në rrjetet sociale.






