Ende po hetohen rrethanat e vrasjes së ndodhur para dhjetë ditësh në Çair të Shkupit, ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
Në një intervistë për RTM, Toshkovski tha se për momentin nuk mund të japë më shumë detaje rreth hetimit, por shprehu pritjen që dy të dyshuarit të arrestohen së shpejti.
Sipas tij, hetimi po shqyrton edhe rrethanat se si njëri prej dy personave të dyshuar, i cili ishte duke vuajtur dënim me burg, ndodhej në liri në kohën kur ndodhi vepra.
Duke folur për sigurinë, Toshkovski prezantoi të dhëna për periudhën janar-gusht 2026. Ai tha se numri i vrasjeve ka rënë nga 19 në 12, ndërsa viktimat nga 20 në 12, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Sipas tij, tentativat për vrasje janë ulur për rreth 65 për qind, grabitjet për rreth 40 për qind, ndërsa vjedhjet e rënda për afërsisht 30 për qind.
Në të njëjtën kohë, ministri ka raportuar rritje të rasteve të dhunës në familje, të cilën e lidhi me raportimin më të madh të rasteve nga qytetarët.
Rritje të ndjeshme, sipas tij, është shënuar edhe te drejtimi i pamatur i automjeteve. Gjatë tetë muajve të parë të vitit janë regjistruar rreth 2.200 raste, rreth shtatë herë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Toshkovski tha se sistemi “Qyteti i sigurt” po ndihmon në identifikimin e veprave penale dhe rasteve të shkeljeve në komunikacion.






