Shkrimtari dhe filozofi francez, Albert Camus, u lind më 7 nëntor 1913 në Mondovi të Algjerisë. Ai konsiderohet një nga emrat më të rëndësishëm të letërsisë dhe filozofisë së shekullit XX, ndërsa në vitin 1957 u nderua me Çmimin Nobel për Letërsi.
Krijimtaria e Camusit karakterizohet nga trajtimi i absurdit të ekzistencës njerëzore, lirisë, vuajtjes dhe kërkimit të kuptimit të jetës. Ndër veprat e tij më të njohura janë romanet “I huaji”, “Murtaja” dhe “Rënia”, si dhe eseja filozofike “Miti i Sizifit”.
Përmes veprave të tij, Camus trajtoi raportin e njeriut me botën, padrejtësinë dhe format e ndryshme të tiranisë. Eseja “Njeriu i revoltuar”, e botuar më 1951, ishte një nga veprat që nxiti debate të shumta në qarqet intelektuale franceze.
Në vitin 1957, Camus u vlerësua me Çmimin Nobel për Letërsi për krijimtarinë e tij, e cila ndriçon problemet e ndërgjegjes njerëzore në kohën moderne.
Ai vdiq më 4 janar 1960, në moshën 46-vjeçare, në një aksident automobilistik në Villeblevin të Francës. Romani i tij i papërfunduar, “Njeriu i parë”, u botua pas vdekjes, në vitin 1994./KultPlus.com








