Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar se deri në mesin e vitit të ardhshëm pritet të vendoset një sistem i integruar i biletave, që qytetarët të mund të përdorin trenin dhe autobusët me një biletë të vetme.
Sipas tij, sistemi do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe do t’u mundësojë qytetarëve të kombinojnë lloje të ndryshme të transportit publik pa paguar veçmas për çdo mjet.
Paralelisht, pritet të nisë edhe realizimi i projektit për transportin e shpejtë me autobusë, BRT. Gjorgjievski tha se tenderi për projektimin dhe ndërtimin pritet të shpallet në ditët në vijim, ndërsa punimet, nëse gjithçka zhvillohet sipas planit, do të nisnin në fund të pranverës së vitit 2027.
BRT-ja do të lidhë Gjorçe Petrov me Aerodrom, ndërsa projekti përfshin edhe blerjen e 40 autobusëve ekologjikë. Sipas kryetarit të Shkupit, frekuenca e linjave do të jetë e tillë që pritja e udhëtarëve të jetë më pak se gjashtë minuta.
Gjorgjievski tha se kombinimi i trenit urban, autobusëve të rinj dhe BRT-së do t’u ofrojë qytetarëve alternativa më të mira për të lëvizur në qytet pa përdorur automjetet private.






