Shasivari: Politikat cilësore kërkojnë dije, të dhëna dhe analiza serioze

Advertisement

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, ka vënë theksin te rëndësia e hulumtimeve dhe analizave në procesin e hartimit të politikave publike dhe në funksionimin e partive politike.

Duke folur në tryezën e rrumbullakët me temë “Përparimi i funksionit hulumtues-analitik në partitë politike – përvoja juridike dhe komparative”, Shasivari tha se demokracia nuk lidhet vetëm me procesin zgjedhor, por edhe me informimin, argumentimin dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

Sipas tij, qendrat hulumtuese dhe analitike brenda partive duhet të kenë rol më të madh në përgatitjen e politikave, përmes përdorimit të të dhënave, hulumtimeve dhe analizave profesionale.

Shasivari theksoi se këto struktura nuk duhet të funksionojnë vetëm për të përmbushur kërkesat ligjore, por të kontribuojnë konkretisht përmes analizave, vlerësimit të politikave, rekomandimeve dhe zhvillimit të kapaciteteve profesionale.

Ai foli edhe për nevojën e bashkëpunimit ndërmjet partive në fushën e hulumtimit, duke vlerësuar se dallimet politike nuk duhet të pengojnë përdorimin e fakteve dhe të dhënave në procesin e vendimmarrjes.

“Ligji vendos kornizën – dija krijon vlerën”, tha Shasivari, duke nënvizuar se një bazë ligjore e qartë është e nevojshme, por nuk mjafton e vetme për krijimin e politikave cilësore.

Aktiviteti u organizua nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sistemet Zgjedhore (IFES), në kuadër të programit për mbështetjen e zgjedhjeve, të financuar nga Zvicra. Në tryezë morën pjesë përfaqësues të partive politike dhe ekspertë, të cilët diskutuan për përvojat juridike dhe praktikat krahasuese lidhur me funksionin hulumtues-analitik të partive politike.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit