Monitorimi i trafikut në Kumanovë pritet të zgjerohet me kamera të reja në kuadër të sistemit “Safe City”, me synim rritjen e sigurisë në komunikacion dhe evidentimin e shkeljeve nga drejtuesit e automjeteve.
Komandanti i Stacionit Policor në Kumanovë, Tomislav Dodevski, tha se kamerat aktuale nuk mbulojnë të gjitha pikat ku është e nevojshme mbikëqyrja dhe se së shpejti pritet të shtohen pajisje të reja.
Sipas tij, përveç pikave ku sistemi është aktivizuar tashmë, kamera të tjera do të vendosen në tre lokacione të reja në qytet.
Sistemi “Safe City” në Kumanovë ka nisur të përdoret për shqiptimin e gjobave që nga shkurti i këtij viti. Aktualisht, kamerat janë të vendosura në disa pika, përfshirë bulevardin “Revolucioni i Tetorit”, hyrje-daljet e qytetit dhe disa rrugë rajonale.
Zgjerimi i sistemit synon të forcojë kontrollin e trafikut dhe të kontribuojë në respektimin më të madh të rregullave të komunikacionit.






