Pas gati tre vitesh, qindra mijëra fëmijë në Gaza rikthehen në shkolla

Advertisement

Qindra mijëra fëmijë në Gaza janë rikthyer në shkolla për herë të parë pas gati tre vitesh, ndërsa mësimi po zhvillohet në kushte të vështira, në ndërtesa të dëmtuara, ambiente të përkohshme dhe tenda.

Sipas Reuters, rreth 540 mijë nxënës pritet të ndjekin mësimin fizik gjatë vitit shkollor 2026-2027 në qendra të improvizuara dhe hapësira të ngritura me tenda, llamarina, dru dhe materiale të tjera. Për fëmijët që nuk mund të marrin pjesë fizikisht, do të vazhdojë edhe mësimi online.

UNICEF-i vlerëson se 98 për qind e shkollave në Gaza janë dëmtuar ose shkatërruar gjatë luftës, ndërsa autoritetet arsimore palestineze thonë se rreth 660 mijë nxënës kanë mbetur pa mësim të rregullt në klasa gjatë konfliktit.

Në shumë prej ambienteve të përkohshme mungojnë kushtet bazë për mësim. Disa klasa janë ngritur mbi rërë, ndërsa në të tjera nxënësit ulen në dyshekë dhe kanë në dispozicion vetëm një dërrasë të zezë. Disa prej këtyre hapësirave përdoren ende edhe nga familjet e zhvendosura.

Pavarësisht kushteve të vështira, nxënësit kanë shprehur dëshirën për t’u rikthyer në shkollë.

Edhe çmimet e mjeteve shkollore janë rritur ndjeshëm. Një tregtar në Gaza tha se një fletore që para luftës kushtonte 3 shekelë, tani shitet për rreth 15 shekelë, ndërsa kufizimet e furnizimeve kanë ndikuar në mungesën dhe rritjen e çmimeve.

Sipas Reuters, autoritetet palestineze deklarojnë se më shumë se 73 mijë njerëz janë vrarë në ofensivën izraelite në Gaza, e cila nisi pas sulmit të Hamasit në Izrael në tetor 2023.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit