Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, mbajti ligjëratë para studentëve dhe pjesëmarrësve të programit të College of Europe, në kuadër të sesionit “Macedonian Foreign Policy 101”.
Gjatë ligjëratës, Mucunski prezantoi tre shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut: kontributin aktiv në NATO, integrimin evropian dhe partneritetin strategjik me SHBA-në.
Ai theksoi se vendi vazhdon të mbështesë Ukrainën dhe të kontribuojë në stabilitetin rajonal, ndërsa në procesin e integrimit evropian fokusi mbetet te reformat, çështja me Bullgarinë dhe përafrimi me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së.
Sa i përket partneritetit me SHBA-në, Mucunski përmendi bashkëpunimin në politikë, ekonomi, teknologji, mbrojtje dhe siguri.
Sipas tij, politika e jashtme po orientohet gjithnjë e më shumë drejt tregtisë, investimeve dhe projekteve infrastrukturore, përfshirë Korridorin VIII, me synim rezultate konkrete për ekonominë dhe qytetarët.






