Deputeti dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Mile Lefkov, në një intervistë për televizionin “Alfa”, foli për miratimin e ligjeve reformuese në Kuvend dhe përafrimin e ligjeve të Maqedonisë së Veriut me ato të Bashkimit Evropian.
Lefkov tha se krahas procesit diplomatik dhe politik të integrimit në BE, një pjesë e rëndësishme është përshtatja e ligjeve vendore me ligjet e Bashkimit Evropian. Sipas tij, Kuvendi aktual ka punuar intensivisht për këtë proces dhe kjo, siç tha ai, është vlerësuar edhe nga Komisioni Evropian.
Ai deklaroi se gjatë mandatit të kaluar katërvjeçar janë miratuar rreth 430 ligje, ndërsa në periudhën aktuale, e cila sipas tij është rreth dy herë më e shkurtër, janë miratuar mbi 740 ligje.
Lefkov kritikoi gjithashtu mënyrën se si, sipas tij, në të kaluarën janë përdorur rregullat e BE-së për miratimin e disa ndryshimeve ligjore, duke përmendur Kodin Penal dhe ligje të tjera.
Ai theksoi edhe rëndësinë e rolit mbikëqyrës të Kuvendit, duke përmendur raportet e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë. Sipas Lefkovit, pas shqyrtimit të këtyre raporteve janë bërë vërejtje dhe më pas janë miratuar ligje të reja, përfshirë ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë, pas një diskutimi publik.






