Debati për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës po merr gjithnjë e më shumë përmasa shoqërore, duke tejkaluar kufijtë e politikës dhe duke përfshirë edhe përfaqësues të komunitetit fetar.
Dy figura fetare nga Shkupi kanë dalë publikisht në mbështetje të studentëve shqiptarë që kanë paralajmëruar protestë, duke bërë thirrje për pjesëmarrje, dinjitet dhe ruajtje të qetësisë gjatë manifestimit.
Hoxhë Zekerija Bajrami: “Nuk kërkoni lëmoshë, por të drejtën tuaj”
Hoxhë Zekerija Bajrami u ka bërë thirrje studentëve që të marrin pjesë në protestë dhe të mos heqin dorë nga kërkesat e tyre, duke theksuar se ato janë legjitime dhe të garantuara.
“Student i dashur, sot mos mungo, dil dhe kërko të drejtën që të takon… Ju nuk kërkoni lëmoshë, por hisen që ju takon. Ju jeni ajka e popullit, ju jeni boshti kurrizor i shoqërisë”, thuhet në mesazhin e tij.
Ai gjithashtu u bëri apel studentëve që të protestojnë në mënyrë dinjitoze dhe pa veprime që nuk përkojnë me etikën studentore dhe kombëtare.
Hoxhë Llokman Kamberi: “Mbrojtja e studentëve është mbrojtje e së ardhmes”
Mbështetje për protestën ka shprehur edhe hoxhë Llokman Kamberi, i cili theksoi se zëri i studentëve nuk duhet të keqpërdoret për interesa politike.
“Studentët po ngrihen për të drejtat, dinjitetin dhe të ardhmen e tyre. Mbrojtja e zërit të studentëve është mbrojtje e së ardhmes së popullit, sepse ata janë forca e popullit”, thuhet në reagimin e tij.
Ai kritikoi edhe qasjen e partive politike ndaj rinisë, duke theksuar se shpesh problemet reale të studentëve dhe arsimit janë lënë në plan të dytë.
“Sot nuk është koha për heshtje apo përçarje, por për ta mbështetur dhe mbrojtur zërin e studentëve”, theksoi Kamberi.
Rritje e mbështetjes shoqërore për protestën
Thirrjet e dy klerikëve vijnë në një moment kur protesta e studentëve shqiptarë po merr mbështetje të gjerë nga figura publike, organizata dhe komunitete të ndryshme, duke e shndërruar kërkesën për përdorimin e gjuhës shqipe në provimet profesionale në një çështje më të gjerë shoqërore dhe identitare.





