Një agim i pazakontë në Mars ka zbuluar një peizazh misterioz që po tërheq vëmendjen e shkencëtarëve të NASA-s. Roboti eksplorues Curiosity ka fotografuar formacione gjigante shkëmbore, origjina e të cilave mbetet ende e paqartë.
Pamjet janë realizuar më 11 gusht, në orën 08:30 sipas kohës marsiane, gjatë ditës së 4.982-të të misionit të Curiosity.
Përmes kamerës Mastcam, roboti ka shkrepur gjashtë fotografi, të cilat janë bashkuar në një panoramë të vetme, duke treguar nuancat blu të agimit dhe shkëmbinjtë që dalin nga errësira.
Formacionet, të njohura si yardangs, shtrihen në një gjatësi prej rreth 16 kilometrash në pjesën veriperëndimore të malit Sharp, i cili arrin lartësinë pesë kilometra.
Sipas shkencëtarit të NASA-s, Ashwin Vasavada, shtresat e poshtme të malit janë formuar nga balta e liqeneve të lashta, ndërsa ato të sipërme në kushte shkretinore.
Megjithatë, origjina e formacioneve të reja mbetet mister.
Ekspertët shpjegojnë se struktura të ngjashme krijohen nga erozioni i erës, por përbërja e tyre mund të tregojë ndryshime të rëndësishme klimatike në historinë e Marsit.
Një hipotezë sugjeron rikthimin e liqeneve pas periudhave të thata, ndërsa një tjetër lidhet me depozitimin e hirit vullkanik.
Curiosity pritet të arrijë pranë këtyre formacioneve gjatë vitit 2027.
Atje, instrumentet shkencore dhe krahu robotik do të analizojnë përbërjen e shkëmbinjve, duke kërkuar përgjigje mbi historinë gjeologjike dhe ndryshimet mjedisore të Planetit të Kuq.








