Kryeministri Mickoski nuk u paraqit në gjykatë për t’u përballur me Lençe Ristovskën

Advertisement

Kryeministri Hristijan Mickoski, në cilësinë e përfaqësuesit të të pandehurit VMRO-DPMNE, nuk u paraqit sot për t’u përballur me ish-prokuroren Lençe Ristovska në Gjykatën Themelore Civile në Shkup, lidhur me një sërë shpifjesh dhe fyerjesh të bëra përmes komunikatave partiake, në të cilat kishte edhe kërcënime për „fundin e saj“.

Kundër saj janë publikuar 18 komunikata gjatë kohës kur ajo përfaqësonte akuzat në rastet „Talir 1“ dhe „Talir 2“, ndërsa ajo ka ngritur padi për komunikatën e parë.

Avokatja e VMRO-DPMNE-së, e pyetur nga gjykata se ku ndodhej Mickoski, i cili ishte thirrur të paraqitej, dhe pse nuk kishte ardhur, duke pasur parasysh se do të ishte mirë të paraqitej dhe të shprehej lidhur me komunikatat kundër paditëses, deklaroi se „ai kishte angazhime të tjera“.

„Përfaqësuesi ligjor i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, kishte gjashtë muaj kohë për t’i harmonizuar angazhimet e tij. Fakti që sot u shmang dhe nuk u paraqit është shenjë e mosrespektimit të gjykatës“, deklaroi Ristovska pas seancës së sotme.

Ajo kërkon që gjykata të konstatojë se VMRO-DPMNE ka kryer shpifje dhe fyerje ndaj saj, si dhe të urdhërojë pagesën e dëmshpërblimit në vlerë prej 300.000 denarësh.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit