KAB Struga në terren: Deponitë e egra në Strugë dhe ndriçimi publik në Vevçan në fokus të monitorimit qytetar

Advertisement
STRUGË/VEVÇAN – Deponitë e egra në territorin e Komunës së Strugës dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik në Komunën e Vevçanit ishin në fokus të aktiviteteve të KAB Struga për angazhimin dhe aktivizmin qytetar të të rinjve.
Në këtë kuadër, KAB Struga organizoi debat publik për problemin e deponive të vogla të pakontrolluara në Strugë, ku morën pjesë kryetari i Këshillit të Komunës së Strugës, Mitre Stefovski, këshilltari komunal Klime Karamitri, të rinj, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Gjatë debatit u prezantuan rezultatet e monitorimit të realizuar në terren lidhur me menaxhimin dhe praninë e deponive të egra në territorin e Komunës së Strugës. Të dhënat hapën diskutim mbi përgjegjësitë e institucioneve, rolin e qytetarëve dhe masat që nevojiten për të reduktuar këtë problem.
Sipas të dhënave të procedurës së tenderimit, për pastrimin e deponive të vogla në Strugë janë paraparë 2.000.000 denarë, shumë kjo që përfshin edhe TVSH-në.
Deponitë e pakontrolluara mbeten një problem që prek mjedisin, hapësirat publike dhe qytetarët, ndërsa monitorimi synon të evidentojë gjendjen në terren dhe të nxisë institucionet përgjegjëse për ndërmarrjen e masave konkrete.
Në kuadër të të njëjtit aktivitet u prezantuan edhe rezultatet e monitorimit në Komunën e Vevçanit, që kanë të bëjnë me ndriçimin publik.
Sipas të dhënave të prezantuara, për furnizimin me materiale për mirëmbajtjen e ndriçimit rrugor në Vevçan është zhvilluar procedurë e prokurimit publik dhe është lidhur marrëveshje kornizë me ofertuesin e përzgjedhur.
Vlera e marrëveshjes kornizë është 250.000 denarë pa TVSH, përkatësisht 295.000 denarë me TVSH të përfshirë. Nga kjo marrëveshje deri më tani është realizuar pagesë prej rreth 150.000 denarësh.
Rezultatet e monitorimeve u diskutuan me pjesëmarrësit me qëllim të rritjes së transparencës dhe përfshirjes së qytetarëve në ndjekjen e problemeve lokale.
KAB Struga bën të ditur se do të vazhdojë t’i mbështesë të rinjtë që të informohen, të monitorojnë problemet në komunitetet e tyre dhe të kërkojnë përgjegjësi dhe zgjidhje nga institucionet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit