Gjykimi për rastin “Lotaria Shtetërore” vazhdoi sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup, ku Prokuroria Publike nisi paraqitjen e provave materiale kundër të akuzuarve, mes tyre ish-zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Përparim Bajrami.
Prokuroria ka paralajmëruar gjithsej 231 prova materiale, disa ekspertiza dhe dëgjimin e shtatë dëshmitarëve. Në gjykatë u prezantuan dokumente për themelimin e shoqërisë së përbashkët me partnerin e huaj, vendime të Qeverisë dhe transaksione financiare që lidhen me blerjen e terminaleve të videolotarisë.
Mes provave të paraqitura ishin edhe kontratat për investimin e përbashkët dhe themelimin e kompanisë “Lotaria Shtetërore Video e Republikës së Maqedonisë – Casinos Austria DOO Shkup”, si dhe dokumente nga seanca e 158-të e Qeverisë, e mbajtur më 6 qershor 2023.
Grubi, i cili gjatë seancës i ndoqi provat me laptop para tij, reagoi ndaj dokumenteve që lidhen me seancën qeveritare të cilën e kishte drejtuar dhe nisi të shpjegonte mënyrën e miratimit të disa pikave.
Në atë moment, gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski i kujtoi se ai dhe të akuzuarit e tjerë do të kenë mundësi të paraqesin versionin e tyre gjatë fazës së mbrojtjes.
“Prisni, do të vijë radha edhe për mbrojtjen tuaj”, i tha gjykatësja Grubit.
Ndërkohë, avokati Jordan Apostolski, mbrojtës i Bojan Janevit, e cilësoi aktakuzën si të dobët, të paqartë dhe kontradiktore. Sipas tij, dokumentet e paraqitura deri tani mbështesin qëndrimin e mbrojtjes se anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës kishin vepruar sipas udhëzimeve dhe me pëlqimin paraprak të Qeverisë.
Përveç Grubit dhe Bajramit, në këtë rast janë të akuzuar edhe Bashkim Avdi, Metodija Dimovski, Skender Mehmeti, Bojan Janev, Fatmir Ramadanovski dhe Aleksandar Dimitrioski.
Prokuroria i ngarkon me tejkalim të kompetencave zyrtare dhe shkaktim të dëmit prej 9.7 milionë eurosh ndaj “Lotarisë Shtetërore”. Sipas aktakuzës, rasti lidhet me blerjen e terminaleve të videolotarisë dhe të drejtën për organizimin e lojërave elektronike të fatit.
Të gjithë të akuzuarit më herët janë deklaruar të pafajshëm për veprat që u ngarkohen.






