Debat mbi provimin e jurisprudencës në shqip, ekspertët kërkojnë zbatim të Ligjit të Gjuhëve, studentët: Nuk do të tërhiqemi

Lëvizja studentore, e cila ishte organizatore e protestave për provimin e jurisprudencës, sot në bashkëpunim me DemocracyLab, kanë organizuar debat publik me temë “(Mos)zbatimi i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve: Zgjidhjet dhe Pasojat”. Paneli ishte i përbërë nga profesorë universitarë si Mersim Maksuti, Vlona Pollozhani, Arta Mero dhe ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, shkruan Portalb.mk

Organizatori i protestave dhe studenti Mevlan Ademi, para të pranishmëve, tha se pavarësisht takimeve me liderët më të lartë shtetërorë dhe premtimeve për zgjidhje në një afat të shkurtër, kaluan muaj të tërë dhe zgjidhja nuk erdhi.

 

“Kur u shterën të gjitha rrugët institucionale, ne dolëm në rrugë për të kërkuar drejtësi, jo kundër shtetit, por duke i kërkuar shtetit të zbatojë ligjet e veta. Ne nuk kërkojmë privilegje, por drejtësi. Prandaj do të vazhdojmë të qëndrojmë stoikë në kërkesën tonë. Nuk pranojmë kompromise dhe zgjidhje gjysmake. Gjërat me të cilat po përballemi ne sot janë të njëjtat me të cilat janë përballur edhe prindërit tanë. Prandaj, ne nuk do të heqim dorë nga rruga jonë”, u shpreh Ademi.

 

Sefer Selimi, kryetar i DemocracyLab, para të pranishmëve tha se përveç këtij bashkëorganizimi me studentët, synojnë të krijojnë edhe një platformë ku ekspertët mund të paraqesin argumentet ligjore dhe pikëpamjet e tyre për këtë çështje.

 

“Ne duam të shohim një Maqedoni të Veriut ku ligjet zbatohen në tërësi dhe jo në mënyrë selektive. Një shtet ku Qeveria angazhohet për realizimin e të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj, jo një sistem që vihet në funksion të kufizimit të këtyre të drejtave”, u shpreh Selimi.

 

Ai më tej tha se kjo betejë nuk duhet të shihet si përplasje mes partive politike, por si e drejtë themelore e qytetarëve.

 

Nga ana tjetër, profesori universitar Mersim Maksuti, tha se zhurma që po bëhet është e panevojshme, pasi Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është i qartë dhe vetëm duhet të zbatohet.

 

“Kushtetuta e thotë qartë se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare në vend, përkatësisht gjuha që e flasin së paku 20 për qind e popullsisë dhe që është e ndryshme nga gjuha maqedonase. Gjuha shqipe është e barabartë me gjuhën maqedonase, përveç në komunikimin ndërkombëtar. Në të gjitha aspektet e tjera ajo është gjuhë zyrtare. Ligji për Përdorimin e Gjuhëve ka bazë të fortë juridike dhe nga dispozitat e tij nuk duhet të hiqet asnjë nen. Iniciativa nuk është kundër një dispozite të vetme, por kundër më shumë dispozitave. Megjithatë, mjafton të preken disa prej tyre që ligji ta humbasë efektin e tij. Bashkimi Evropian pret që zgjidhja të vijë nga ne; ata nuk imponojnë zgjidhje, por mbështesin parimin që ajo të burojnë nga vetë institucionet dhe shoqëria jonë”, u shpreh Maksuti.

 

Profesoresha universitare Vlona Pollozhani, foli për Ligjin për përdorimin e Gjuhëve dhe dispozitat që ai parasheh. Ajo theksoi se ky ligj përbën një tërësi dhe një arkitekturë të plotë të dygjuhësisë institucionale. Sipas saj, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në vitin 2018 dhe që hyri në fuqi në vitin 2019, është një ligj operacional që garanton të drejta konkrete dhe përcakton obligime të qarta për institucionet. Pollozhani tha se ligji, përveçse garanton përdorimin e gjuhës shqipe në procedura ligjore, seanca dhe procese të tjera zyrtare, siguron edhe zbatimin e dygjuhësisë në institucionet shtetërore. Po ashtu, ai parasheh masa ndëshkuese për institucionet që nuk e zbatojnë ligjin, përmes mekanizmave mbikëqyrës të Inspektoratit.

 

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit