Ministri i Drejtësisë nga radhët e ZNAM-it Igor Fillkov nuk e ka ndërmend të lëvizë asnjë milimetër nga qëndrimi i tij i betonuar se provimi i jurisprudencës duhet të jepet vetëm në maqedonisht, pavarësisht kërkesave të studentëve shqiptarë që dy herë i protestuan përpara objektit të ministrisë, ndërsa Inspektorati i Gjuhëve i hapi procedurë për shkelje të ligjit. Fillkov nuk hamendet edhe pse kryeministri Hristijan Mickoski theksoi që çështja e zgjidhjes është në duar të ministrit, ndërsa quante opozitën shqiptare patriotë nga Ali Ekspresi.
“Nëse e keni lexuar ligjin, do të lexoni se provimi nuk i rregulluar me ligjin se në cilën gjuhë do të jetë, por atë e rregullon ministri. Sa ministra të Drejtësisë kanë qenë nga koalicioni që ju e keni mbështetur në të kaluarën? Pse nuk e rregulluat? Ja të ju pyes, ju tani jeni në atë koalicion, deri para se të vijë kjo Qeveri, ministër i Drejtësisë ishte ministër i cili vjen nga koalicioni juaj, pse ai nuk e rregulloi, pse nuk e bëri? Ligji ia lejon. Ja do të ju them unë, sepse jeni dyfytyrësh, pasi që jeni patriotë nga Ali Expres kur jeni në opozitë, ndërsa kur jeni në Qeveri promovoni eko agjenda të gjelbra”, deklaroi kryeministri Mickoski dje në Kuvend.
Megjithatë Fillkov vazhdon të mbahet stoik kundër kërkesave të studentëve shqiptarë, ndërsa me gjuhë patriotike mbron gjuhën maqedonase si themel të shtetit. Në fakt, vetë roli i partisë së Fillkovit në Qeveri sipas kryetarit të ZNAM-it ishte që t’i del në mbrojtje VMRO-së të mos shantazhohet me kërkesa nga shqiptarët.
“Kemi hyrë në Qeveri vetëm për një aspekt. Që t’i mundësohet shumicë bllokut politik maqedonas që të mos mundet të shantazhohet dhe të shfrytëzohet metoda e BDI-së”, kishte deklaruar Maksim Dimitrievski nga ZNAM më 1 korrik të vitit 2024.
ZNAM, po atë periudhë gjithashtu ishte e zëshme edhe kundër përdorimit të flamurit shqiptar nëpër zyrat e Qeverisë, për çka publikisht i paralajmëruan partnerët e koalicionit se nëse praktika vazhdon, do ta braktisin ekzekutivin.
Pavarësisht deklaratave nacionaliste dhe qasjes “disiplinuese” ndaj shqiptarëve, Izet Mexhiti nuk e pati problem që në tetor të vitit 2025 t’i shkojë Maksim Dimitrievskit në Kumanovë, për t’i dhënë mbështetje elektorale siç e thotë Dimitrievski, të ngrohtë dhe të fuqishme.
Për mbështetjen e cila u përcoll me shumë kritika në opinion, Mexhiti u arsyetua se Dimitrievski nuk është engjëll, ndërsa ka qenë i obliguar të zgjedh mes dy të këqijave.
“Këtu është zgjidhja ndërmjet dy të këqijave. E keqja më e vogël është zotëri Dimitrievski”, ka deklaruar Mexhiti në tetor të vitit 2025 në intervistën për Alsat.
Pavarësisht mbështetjes së Izet Mexhitit në zgjedhje, ZNAM-i e barazoi VLEN-in në Kumanovë me partinë serbe, duke i ofruar vetëm një drejtori. E sot kur çështjet me interes për shqiptarët ngritën lartë në agjendë, Fillkov ia kthen VLEN-it sërish me bërryl. Madje, funksionarët më të lartë shtetëror i quan me tituj profesional, siç ishte rasti me zëvendëskryeministrin Bekim Sali, i cili në rastin kur e përmendi çështjen e jurisprudencës në shqip i tha stomatolog. Të detyruar nga qasja refuzuese e Fillkovit, VLEN deklarohet që nuk e njeh autoritetin e tij, pavarësisht se Fillkov e ka vulën në dorë.





