MPB largon fëmijët që kërkonin lëmoshë në rrugët e Shkupit, 14 të rritur me kallëzime penale

Advertisement

Pas vitesh qëndrimi në kryqëzime e bulevarde, fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugët e Shkupit janë duke u larguar, pas një aksioni të intensifikuar institucional. 30 fëmijë janë dërguar për kontrolle mjekësore, dy fëmijë janë vendosur përkohësisht në përkujdesje sociale, ndërsa ndaj 14 personave të rritur do të parashtrohen kallëzime penale për braktisje dhe keqtrajtim të fëmijës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, aktivitetet po zhvillohen gjatë muajit tetor, në koordinim me Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve, në lokacionet më të frekuantuara të qytetit me qarkullim të madh njerëzish, ku lypsarëve kërkimi i lëmoshës në këto hapësira u mundëson të sigurojnë më shumë të ardhura.

”Në kuadër të aktiviteteve të deritanishme të SPB-së Shkup, ndaj 14 personave do të parashtrohen kallëzime penale sipas nenit 201 të Kodit Penal, i cili i referohet braktisjes dhe keqtrajtimit të fëmijës. Njëkohësisht, 21 persona janë ndaluar sipas nenit 24 të Ligjit për Kundërvajtjet kundër Rendit dhe Qetësisë Publike, ndërsa janë ndërmarrë edhe masa shtesë në përputhje me dispozitat e tjera ligjore. Nga personat e ndaluar, tre janë shtetas të huaj, ndërsa dy fëmijë janë vendosur përkohësisht në përkujdesje nga ana e qendrës kompetente për punë sociale. Nga ana e Institucionit Publik – Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale, 30 fëmijë të hasur duke lypur ose së bashku me prindërit që lypin janë dërguar për kontroll mjekësor.”- thuhet në kumtesën e MPB-së për TVM2.

Ndërkohë, tek fëmijët që janë dërguar për kontrolle mjekësore janë konstatuar infeksione akute dhe është rekomanduar terapi. Disa prej tyre janë udhëzuar për kontrolle shtesë.

“Disa prej tyre kishin infeksione akute, për të cilat pediatrët tanë rekomanduan terapi. Gjithashtu, u zhvillua një bisedë me punonjësit socialë lidhur me nevojën për terapi dhe ndjekjen e mëtejshme të gjendjes shëndetësore. Disa fëmijë kishin nevojë për kontroll dhe vlerësim nga kardiologu dhe neurologu pediatrik, bazuar në të dhënat anamnestike të dhëna gjatë kontrollit. Për këtë u dhamë rekomandime prindërve dhe punonjësve socialë që i shoqëronin fëmijët gjatë ekzaminimit.” – deklaroi Drejtoresha e Klinikës “Kozle”, Katerina Boshkovska.

Kryetari i shoqatës „Ndërtojmë të Ardhmen“, Ilija Jovanoviq, e njeh nga afër problemin e fëmijëve që rriten pa përkujdesjen e duhur. I rritur vetë në jetimore, ai prej vitesh lufton për t’i gjetur zgjidhje këtij problemi.

“Dukuria e lypësisë nuk mund të çrrënjoset apo zhduket brenda natës. U deshtë shumë kohë dhe një punë e mundimshme kërkimore; bëmë një hulumtim mjaft të madh dhe nxorëm në dritë shifrat e sakta se sa fëmijë janë në terren, sa prej tyre lypin dhe si punojnë me ndërrime; në të parën, të dytën apo të tretën. Në Maqedoni janë me mijëra fëmijë të cilëve u shkatërrohet e u gjymtohet e ardhmja përmes punës së detyruar fëmijërore; u dëmtohet shëndeti, nuk kanë qasje në arsim e kujdes shëndetësor dhe nuk zotërojnë as dokumente personale. Më besoni, kam bërë një betejë të madhe i vetëm. Këtë po e bëj si prind, si një ish-fëmijë i rritur pa kujdes prindëror dhe pa prindër. E di se çfarë do të thotë të mos kesh asgjë, prandaj e bëj këtë betejë.” – deklaroi Kryetari i Shoqatës “Ndërtojmë të ardhmen”, Ilija Jovanoviq.

Në Çarshinë e Vjetër, lypsarët paraqesin shqetësim për turistët për shkak të rasteve të vjedhjeve. Esnafi Bujar Dullovi, kërkon patrulla të përhershme policore, pasi aksionet e herëpashershme nuk e zgjidhin problemin.

”Nuk mund t’i lëmë vetë, veç punonjësit social që të mirren me këta, duhet të jetë një aksion më i madh dhe të jetë i shpeshtë sikur një patrolë policore të cilën patrullojnë nëpër qendra dhe nëpër Çarshi. Është tmerr i madh ta them, ku përdoren fëmijët, ku kemi raste ku një fëmijë mund të bëhet rentë, t’i jepet një personi tjetër për 500 denarë apo për 10 euro. Tjetra, kemi lysatarë të cilët paraqiten si lypsarë dhe na stresojnë turistët, sepse ju marrin të hollat në momentin që turistët i nxjerrin nga xhepi, u’a marrin dhe ikin.” – deklaroi Bujar Dullovi nga Esnafi i Çarshisë.

Pretendimet për ekzistimin e një rrjeti kriminal të shfrytëzimit të fëmijëve ende nuk janë vërtetuar, ndërsa hetimet për përcaktimin e përgjegjësisë së personave të përfshirë do të vazhdojnë, njoftojnë nga MPB.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit