Maqedonia e Veriut me automjetet më të vjetra në rajon, mosha mesatare gati 20 vjet

Advertisement

Maqedonia e Veriut ka flotën më të vjetër të automjeteve në rajon, me një moshë mesatare prej 19,4 vjetësh, sipas një analize të “Al Jazeera Balkans”.

Edhe pse numri i automjeteve të regjistruara është pothuajse dyfishuar nga viti 2012 deri në vitin 2024, mosha mesatare e tyre ka mbetur pothuajse e njëjtë. Në vitin 2024, në vend ishin të regjistruara rreth 700 mijë automjete, krahasuar me 350 mijë në vitin 2012.

Shqetësues është fakti se 87,9 për qind e automjeteve janë më të vjetra se shtatë vjet. Mosha mesatare në vend është dukshëm më e lartë se ajo në Bashkimin Evropian, ku arrin në 12,7 vjet.

Në rajon, Kosova ka një moshë mesatare të automjeteve prej 18 vjetësh, Greqia 17,3 dhe Mali i Zi 17,06 vjet. Ndërkohë, në Kroaci mesatarja është 14,63 vjet, ndërsa në Slloveni 11,2 vjet.

Si një nga arsyet kryesore për këtë gjendje përmendet importi i madh i veturave të përdorura nga Evropa Perëndimore, veçanërisht nga Gjermania dhe Italia. Fuqia e kufizuar blerëse bën që shumë qytetarë të mos kenë mundësi të blejnë automjete të reja.

Disa vende të rajonit kanë vendosur kufizime për importin e automjeteve të vjetra, sidomos atyre me naftë. Në Bosnjë e Hercegovinë dhe Mal të Zi janë ndaluar disa kategori të këtyre automjeteve, ndërsa Serbia vazhdon të lejojë importin edhe të veturave më të vjetra se 20 vjet.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit