Aksident i rëndë në Shkup, motoçiklisti përfundon në gjendje të rëndë

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sonte në rrugën e Plastikave në Shkup, ku janë përfshirë një veturë dhe një motoçikletë.

Përplasja ka ndodhur rreth orës 22:40 dhe, sipas informacioneve të para, goditja ka qenë jashtëzakonisht e fuqishme. Si pasojë, drejtuesi i motoçikletës ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë intervenuar ekipet e Ndihmës së Shpejtë, të cilat të plagosurin e kanë dërguar me urgjencë në Spitalin e Qytetit. Deri më tani nuk ka informacione zyrtare për gjendjen e tij shëndetësore.

Policia ka dalë në terren dhe ka bllokuar pjesërisht komunikacionin, ndërsa po zhvillon hetime për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë dëmtime të mëdha në të dy mjetet. Motoçikleta shihet pothuajse e shkatërruar, ndërsa vetura ka pësuar goditje të konsiderueshme në pjesën e përparme. Në asfalt janë vërejtur gjurmë frenimi dhe pjesë të shpërndara nga përplasja.

Ngjarja ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve që janë mbledhur në vendin e aksidentit, të tronditur nga skena.

Ky është një tjetër aksident serioz në kryeqytet, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë në trafik, sidomos pas tragjedisë së fundit në qarkoren e Shkupit ku humbën jetën katër persona./Ora24.tv

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit