MPB ka njoftuar për shpërbërjen e një grupi kriminal të dyshuar për kontrabandë mallrash dhe vepra penale të lidhura me korrupsionin. Në kuadër të aksionit, janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa janë sekuestruar mbi 100 mijë euro, cigare dhe duhan pa pulla akcize, barna, suplemente, telefona celularë dhe sende të tjera.
Aksioni është zhvilluar më 21 shtator 2026, nën drejtimin e Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me pjesëmarrjen e Departamentit për Luftimin e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë dhe Njësisë për Shpërndarje të Shpejtë.
Sipas MPB-së, me urdhër të Gjykatës Themelore Penale në Shkup janë kryer bastisje në disa lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli. Gjatë kontrolleve janë gjetur edhe 16 pllaka me ngjyrë ari, si dhe një sasi e konsiderueshme barnash dhe suplementesh, të cilat dyshohet se janë futur ilegalisht në vend.
Kallëzim penal është ngritur ndaj tetë personave, të cilët dyshohen për disa vepra penale, përfshirë kontrabandë, fshehje të mallrave kontrabandë, shmangie të pagesës së akcizës, marrje dhe dhënie ryshfeti, prodhim dhe qarkullim të mjeteve të dëmshme për mjekim, si dhe pastrim parash.
Sipas hetimit, aktivitetet e dyshuara kanë zgjatur nga viti 2024 deri në vitin 2026. MPB pretendon se grupi ka organizuar futjen dhe magazinimin e cigareve e duhanit, si dhe rishitjen e tyre, ndërsa përmes ryshfetit ndaj një zyrtari doganor dyshohet se është mundësuar kalimi i mallrave pa deklarim dhe pa pagesën e detyrimeve.
Autoritetet thonë se me këto veprime janë shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit përmes shmangies së detyrimeve doganore, akcizës dhe TVSH-së, ndërsa për barnat dhe suplementet e futura e të qarkulluara pa autorizimet përkatëse është evidentuar edhe rrezik potencial për shëndetin e qytetarëve.






