Aksion në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli: Në shënjestër suplementet e paligjshme për potencë

Advertisement

Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka bërë të ditur se suplementet për potencë janë në qendër të aksionit policor të nisur sot kundër një grupi të dyshuar për kontrabandë dhe tregti të paligjshme me ilaçe, medikamente dhe suplemente.

Në aksion janë arrestuar të paktën gjashtë persona, ndërsa janë kryer bastisje në dhjetëra lokacione në Shkup, Tetovë dhe Gjevgjeli.

Klekovski tha se rasti nuk lidhet me botoksin dhe se bëhet fjalë për suplemente, të cilat sipas tij nuk janë të regjistruara në vend për përdorimet për të cilat tregtohen.

“Nuk bëhet fjalë për ilaçe, por për suplemente. Rasti lidhet me një veprim të mëparshëm, i cili nuk lidhet me botoksin. Të gjitha së bashku lidhen me çrrënjosjen e kontrabandës dhe tregtisë së paligjshme të ilaçeve, suplementeve dhe mjeteve të tjera”, deklaroi ministri.

Ai theksoi se përdorimi i produkteve të tilla mund të paraqesë jo vetëm pasoja financiare, por edhe rrezik për shëndetin.

Sipas Klekovskit, bëhet fjalë për produkte që përmbajnë përbërës bimorë në kombinime të ndryshme dhe tregtohen me pretendime për përmirësimin e funksioneve të ndryshme të organizmit, përfshirë edhe potencën, pa qenë të regjistruara për këto qëllime në vend.

Hetimi për rastin është në vazhdim.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit