Parlamenti i Rumanisë ka rrëzuar kandidaturën e eurodeputetit liberal Siegfried Muresan për postin e kryeministrit, duke thelluar krizën politike në vend dhe duke rritur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Muresan mori 182 vota, ndërsa për miratimin e qeverisë nevojiteshin 233 vota. Kjo ishte hera e dytë që Parlamenti nuk miraton një kandidat të propozuar nga presidenti Nicuşor Dan, pas rënies së qeverisë së Ilie Bolojan.
Dan kishte propozuar më herët edhe Eugen Tomac dhe Adrian Vestea për postin e kryeministrit. Tomac e tërhoqi kandidaturën para votimit, ndërsa Vestea nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme parlamentare.
Pas votimit, Aleanca për Bashkimin e Rumunëve (AUR) konfirmoi kundërshtimin ndaj kandidatëve të propozuar nga presidenti dhe kërkoi zgjedhje të parakohshme. Edhe Partia Socialdemokrate (PSD), e cila ka 129 mandate, ka refuzuar të mbështesë kandidatët e Danit dhe kërkon që kryeministri i ardhshëm të vijë nga radhët e saj.
Kriza politike zhvillohet në një periudhë të vështirë financiare për Rumaninë. PSD u largua nga qeveria në shenjë kundërshtimi ndaj masave për uljen e deficitit buxhetor. Ndërkohë, qeveria e Bolojan ka vazhduar punën në mungesë të një pasardhësi të miratuar.






