Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar nga Nju Jorku pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për vendosjen në masën “arrest shtëpie” të drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Rama tha se pret që çdo dyshim i ngritur nga organet e drejtësisë të hetohet dhe të sqarohet përmes një procesi të pavarur gjyqësor.
Ai u shpreh se respekton punën e Hysenit dhe vlerësimet që ajo ka marrë nga agjencitë partnere, por theksoi se institucionet e drejtësisë duhet të jenë të pavarura në hetimin dhe gjykimin e çdo personi, pavarësisht funksionit publik.
Rama theksoi gjithashtu parimin se çdo person konsiderohet i pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës dhe se nuk do të ndërhyjë në çështjet që janë në shqyrtim nga drejtësia.
Kryeministri bëri të ditur se lirimi i Hysenit nga detyra do të jetë i menjëhershëm dhe se pas kthimit në Tiranë, në konsultim me Presidentin e Republikës, do të përcaktohet drejtuesi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit.






