Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Gjermani, Prof. Dr. Ylber Sela, është takuar në Berlin me Këshilltaren Shtetërore dhe Fuqiplotë të Hamburgut pranë Qeverisë Federale, Liv Assmann.
Në takim është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Hamburgut, me fokus te ekonomia, investimet, arsimi i lartë, shkenca, kultura dhe lidhjet mes komuniteteve.
Sela prezantoi mundësitë që ofron Maqedonia e Veriut për investitorët gjermanë dhe theksoi rëndësinë e krijimit të lidhjeve të reja mes kompanive të Hamburgut dhe bizneseve në vend.
“Hamburgun e shohim si një partner me potencial të madh”, ishte mesazhi i përcjellë gjatë takimit.
Në fokus ishte edhe bashkëpunimi mes universiteteve, përfshirë shkëmbimet e studentëve, profesorëve dhe studiuesve, si dhe realizimin e projekteve të përbashkëta shkencore.
Bisedë e veçantë iu kushtua edhe Shkupit si Kryeqytet Evropian i Kulturës 2028, ku u diskutua për mundësinë e organizimit të koncerteve, ekspozitave dhe projekteve të përbashkëta kulturore.
Gjatë takimit u diskutua gjithashtu për komunitetin e Maqedonisë së Veriut në Hamburg dhe rëndësinë e forcimit të lidhjeve të tij me vendin e origjinës.
Takimi synon të kontribuojë në krijimin e kontakteve më konkrete ndërmjet institucioneve, universiteteve, kompanive dhe komuniteteve të Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë.






