Shumica e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës kanë regjistruar grupet parlamentare për legjislaturën e 11-të brenda afatit të përcaktuar. Përjashtim bën grupi parlamentar multietnik.
Deputeti Albert Kinolli tha se vonesa lidhet me zëvendësimin e katër deputetëve të komuniteteve joserbe, të cilët kanë marrë poste ministrore në Qeverinë e Kosovës. Sipas tij, grupi do të formohet pasi deputetët e rinj të japin betimin.
Ndërkohë, në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur një kërkesë nga PDK-ja lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re.
Hulumtuesi i KDI-së, Vullnet Bugaqku, tha se në mungesë të një mase të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi mund të vazhdojë punën dhe të mbajë seanca.
PDK-ja ndërkohë ka dorëzuar në Kuvend një projektligj për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.






