Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) ka njoftuar se po vijojnë aktivitetet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, të cilat janë caktuar të mbahen më 18 tetor.
Në seancën e 15-të të KSHZ-së është miratuar Vendimi për publikimin e përshkrimeve të vendvotimeve, në kuadër të aktiviteteve të parapara me Kalendarin e afateve për realizimin e veprimeve zgjedhore.
Ndërkohë, sipas KSHZ-së, janë në zhvillim aktivitetet për mbylljen e Listës Zgjedhore dhe konfirmimin e kandidaturave.
Përcaktimi i renditjes së kandidatëve përmes shortit do të bëhet në një seancë publike, më së voni deri më 23 shtator.
Nga KSHZ-ja bëjnë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në Bërvenicë dhe institucionet kompetente, me qëllim që të sigurohen me kohë të gjitha kushtet e nevojshme për zhvillimin e procesit zgjedhor.
Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës do të mbahen më 18 tetor, ndërsa KSHZ-ja thotë se synon që qytetarët të mund ta realizojnë pa pengesa të drejtën e tyre të votës.






