Ura e Gurit në Shkup ndriçohet me ndriçim të ri dekorativ dhe arkitektonik

Advertisement

Ura e Gurit në Shkup është pajisur me ndriçim të ri dekorativ dhe arkitektonik. Përurimi është bërë mbrëmjen e sotme nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, së bashku me kryetarin e Komunës së Esenlerit të Turqisë, Mehmet Tevfik Goksu.

Në ceremoninë e përurimit kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Turqisë në Maqedoninë e Veriut, Alper Aktaş, drejtori ekzekutiv i Halkbank, Fatih Shahbaz, si dhe konsulli i nderit, Aydovan Ademoski.

Gjorgjievski, përmes një postimi në rrjetet sociale, bëri të ditur se projekti është realizuar në kuadër të Protokollit për Miqësi dhe Bashkëpunim ndërmjet Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Esenlerit.

Sipas tij, ndriçimi i ri thekson bukurinë arkitekturore të urës dhe harqeve të saj, duke i dhënë një pamje të veçantë në qendër të qytetit.

Kryetari i Shkupit falënderoi Komunën e Esenlerit dhe kryetarin Goksu, Halkbank dhe Fatih Shahbaz, si dhe Aydovan Ademoskin për mbështetjen dhe kontributin në realizimin e projektit.

Ai theksoi se Ura e Gurit është një nga simbolet historike të Shkupit dhe se ruajtja e saj për gjeneratat e ardhshme mbetet përgjegjësi e qytetit.

Lajme të ngjajshme

Lajmet e fundit