Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, Kurti e ka cilësuar vendimin si “padrejtësi të papranueshme”, duke shprehur kundërshtimin e tij ndaj dënimeve të shqiptuara.
Sipas tij, vendimi i gjykatës nuk duhet të interpretohet si shprehje e vullnetit të popullit të Kosovës, pavarësisht formulimit zyrtar të aktgjykimit.
Kurti ka kërkuar që vendimi të rishikohet në shkallën e apelit dhe të korrigjohet sa më shpejt.
Në reagimin e tij, kryeministri ka shprehur gjithashtu solidaritet me familjet e ish-krerëve të UÇK-së dhe bashkëluftëtarët e tyre, duke thënë se janë pranë tyre në këto momente.






