Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka mohuar pretendimet e partisë Levica se Ministria po fsheh pikët e studentëve gjatë procesit të pranimit në konviktet studentore.
Janevska tha se në mënyrë publike janë publikuar si listat e studentëve të pranuar, ashtu edhe ato të kandidatëve të refuzuar, së bashku me arsyet përkatëse. Ajo i cilësoi si dezinformata pretendimet për mungesë transparence në këtë proces.
Sipas ministres, në mesin e studentëve të refuzuar ka edhe persona që studiojnë në vitin e shtatë apo të tetë, si dhe kandidatë prindërit e të cilëve kanë të ardhura të larta. Ajo theksoi se kriteret për pranimin në konvikte kanë qenë të përcaktuara në shpalljen zyrtare.
Duke folur për numrin e asistentëve arsimorë, Janevska tha se aktualisht ka më shumë asistentë se në çdo periudhë të mëparshme. Në arsimin fillor, sipas saj, janë angazhuar rreth 1.348 deri në 1.380 asistentë, ndërsa në arsimin e mesëm 166.
Ministrja shtoi se ka kërkesa për angazhimin e asistentëve të rinj dhe se konkursi për plotësimin e këtyre vendeve është në proces, me afat deri nesër. Ajo theksoi gjithashtu se nxënësit me nevoja për mbështetje marrin ndihmë edhe përmes ekipeve gjithëpërfshirëse.
Sa i përket shkollës fillore “Kiro Gligorov”, Janevska bëri të ditur se janë duke u përfunduar klasat shtesë. Sipas saj, mësimi me prezencë fizike pritet të nisë më së voni të martën.






