Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të RMV-së, Astrit Iseni, po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë, ku është pritur nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe zëvendësministri Enver Dugolli.
Gjatë takimit është vlerësuar bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë, zbatimit të ligjit dhe menaxhimit të kufijve.
Palët diskutuan edhe për lehtësimin e kalimeve kufitare për qytetarët, me fokus të veçantë te banorët që jetojnë përgjatë kufirit mes RMV-së dhe Kosovës.
Gjatë vizitës, Iseni dhe Dugolli vizituan Qendrën Kombëtare të Menaxhimit të Kufirit, Akademinë e Kosovës për Siguri Publike dhe Agjencinë për Regjistrimin Civil.
Në fokus të takimeve ishte edhe bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe grupeve kriminale që veprojnë në të dyja vendet.
Iseni theksoi përkushtimin e RMV-së për forcimin e bashkëpunimit me Kosovën dhe për avancimin e agjendave që synojnë rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në të dyja vendet.






