Parlamenti i Greqisë ka miratuar kufizimin e qasjes në rrjetet sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeçare. Ligji u miratua gjatë një seance që përfundoi në orët e para të së premtes, më 23 tetor, ndërsa do të hyjë në fuqi më 1 janar 2027.
Sipas procesverbalit zyrtar të Parlamentit, projektligji u miratua me shumicë votash. Partia në pushtet, Demokracia e Re, votoi pro, PASOK-u u deklarua “i pranishëm” në votimin për tërësinë e projektligjit, ndërsa partitë e tjera të përfshira në votim kundërshtuan atë, raporton “Greekreporter”.
Me këtë vendim, kufizimet e paralajmëruara më herët nga qeveria greke bëhen pjesë e legjislacionit të miratuar. Platformat e rrjeteve sociale do të mbajnë përgjegjësi për verifikimin e moshës së përdoruesve, në vend që kjo përgjegjësi t’u lihet vetëm prindërve.
Një nga veçoritë e ligjit lidhet me mënyrën e përcaktimit të moshës. Sipas tij, 1 janari konsiderohet si datëlindja e të gjithë personave të lindur brenda të njëjtit vit kalendarik. Kështu, fëmijët e lindur në vitin 2012 do ta përmbushin kriterin e moshës në janar 2027, edhe nëse ditëlindjen e tyre të 15-të e kanë më vonë gjatë atij viti.








