Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar 36-vjetorin e shpalljes së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990 në Kaçanik.
Kurti ka rikujtuar se 80 nga 111 delegatët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën atë ditë në mënyrë të fshehtë në Shtëpinë e Kulturës në Kaçanik, ku miratuan dokumentin kushtetues dhe shpallën Kosovën republikë.
Sipas Kurtit, ky akt përbënte kundërpërgjigje ndaj regjimit të atëhershëm serb, i cili në vitin 1989 kishte suprimuar autonominë e Kosovës.
Ai e cilësoi shpalljen e vitit 1990 si një moment të rëndësishëm në rrugëtimin politik të Kosovës, që më pas u pasua nga rezistenca paqësore dhe e armatosur dhe lufta e UÇK-së.
Kurti theksoi se më 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës e shpallur në Kaçanik u ripërtëri si shtet i pavarur, sovran dhe demokratik.
Ai shprehu mirënjohje për brezin që gjatë viteve ’90 kontribuoi dhe u angazhua për Republikën e Kosovës.






